Wednesday, February 19, 2020
Home|Iran|Islam|Persian Language|FAQ|Contact Us|Links|Sitemap
Login
Emri i përdoruesit :   
Fjalëkalimi :   
 
Captcha:
[Antarësim]
Vote
Votimi është jashtë funksionit
Visitors` Statistics
 Vizitor i kësaj faqe : 2152098
 Numri i viziorëve të ditës së sotme : 28
 Totali i vizitorëve : 2534564
 Vizitorët online : 2
 Koha e vizitës : 0.9687
i zgjedhur

..
.
.
.
.
معرفي فصلنامه پرلا
.
آموزش آنلاین زبان فارسی
..

Clock
News > * “ Me Kulturën iraniane është marrë elita e kombinit shqiptar ”


  Printo        Dërgoja miqve

* “ Me Kulturën iraniane është marrë elita e kombinit shqiptar ”

Gazeta Standard  14/01/2008  


Intervistë me zv.drejtorin e Fondacionit Kulturor iranian “Saadi Shirazi”, z. Shahrouz Falahatpisheh


INTERVISTOI: ENEIDA BITRI
 
Fondacioni “Saadi Shirazi”, me seli në Tiranë, iu bashkua nismës së UNESCO-s për të nderuar dhe promovuar figurën e poetit të madh klasik pers, Rumiu. Sipas jush, çfarë e lidh Rumiun me Shqipërinë dhe kulturën shqiptare?


Vendimi i UNESCO-s për ta pagëzuar vitin 2007 me emrin e poetit dhe mistikut të madh iranian, Mevlana Rumiut, nuk ishte i rastësishëm. Kjo organizatë referente e kulturës botërore kishte për qëllim që të rikthente vëmendjen e opinionit nga trashëgimia kulturore, që formoi bazat e kulturës dhe qytetërimit modern. Në këtë kuadër, poeti ynë i madh pers Rumiu përcjell mesazhe artistike dhe filozofike, të cilat janë të vlefshme për mbarë njerëzimin dhe kulturat, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Por ka edhe një lidhje specifike të Mevlanës (siç thirret ndryshe me nderim Rumiu) me kulturën shqiptare, që është prania e hershme dhe ndikimi i veprave të tij në opinionin dhe idetë e një prej njerëzve dhe mendimtarëve më të shquar të kulturës shqiptare, poetit tuaj kombëtar Naim Frashërit. Të gjithë e dimë se Naimi e fliste shkëlqyeshëm gjuhën perse dhe madje vëllimin poetik “Tehajjulat” (Ëndërrime) e ka shkruar në gjuhën perse. Ishte Naimi ai që futi në botën e poezisë shqipe, poezitë dhe konceptet mistike, të cilat qëndronin në kulmin e poezisë botërore. Lidhja midis Mevlanës dhe Naimit vihet re në shumë vepra të Naimit, si në poezinë e famshme “Fyelli” dhe “Pashai”, që janë rikrijuar në letërsinë shqipe nga Naimi, i ndikuar nga poezitë “Masnavi” të Mevlanës, disa prej të cilave janë futur në tekstet mësimore të shkollave shqiptare.


A mund të na thoni përmbledhtas për qëllimin e konferencës “Rumiu dhe Ballkani” dhe jehonën që ajo pati?


Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” në Tiranë, si përfaqësues i kulturës iraniane në këtë pjesë të botës, organizoi sesionin shkencor ndërkombëtar me temë “Mevlana në Ballkan”. Konferenca synonte të bënte një pasqyrë të marrëdhënieve mes kulturave, ndikimit të klasikëve persë në letërsitë dhe kultura lokale duke iu referuar veprës së Rumiut. Në konferencë morën pjesë akademikë, studiues, kulturologë pothuaj nga të gjitha vendet e Ballkanit. Pasqyrimi që iu bë këtij aktiviteti në median shqiptare ishte një shenjë tjetër e vlerësimit, vëmendjes dhe respektit të Shqipërisë ndaj kulturës dhe vlerave të tjetrit, dëshmi se shqiptarët dhe kultura e tyre ka qenë gjithmonë e hapur, pa fobira dhe paragjykime.


Shtypi ka shkruar që fondacioni “Saadi Shirazi” ka krijuar tashmë një bibliotekë të letërsisë dhe kulturës iraniane në Shqipëri. Si e vlerësoni bashkëpunimin e deritanishëm dhe synimet për më tej?


Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” me praninë e tij në Shqipëri ka rigjallëruar dhe forcuar marrëdhëniet miqësore dhe kulturore midis dy vendeve dhe popujve, duke i shërbyer edhe prezantimit real të vlerave përkatëse. Në këtë kuadër një nga aktivitetet e këtij fondacioni është botimi i veprave kulturore në gjuhën shqipe që i kalojnë 20 tituj, të cilat kryesisht i përkasin letërsisë dhe kulturës perse dhe përbëjnë kuptime të thella humanitare dhe morale për kohën në të cilën ndodhemi. Këto janë vepra që kanë bërë të famshëm Iranin në fushën e kulturës dhe të letërsisë. Përfitoj nga rasti të kujtoj këtu me respekt faktin që shumë kohë para nesh, njerëz të zellshëm dhe me dëshirë të madhe hodhën themelet e krijimit të bibliotekës së letërsisë iraniane në Shqipëri. Dhe ne ndihemi dyfish të nderuar që këta personalitete i përkasin elitës së kombit shqiptar si Naim Frashëri, Noli e të tjerë. Përkthimi i “Rubairave” të Omar Khajamit nga Noli, përkthimi i bukur i “Shahnamesë” të Firdeusit nga Vexhi Buharaja, si dhe veprës “Gjylistani dhe Bostani” të Saadiut, vepra të Hafizit, përkthimi i veprës “Tehajjulat” të Naim Frashërit nga persishtja në shqip, të gjitha këto kanë ndodhur para ardhjes sonë këtu. Studiuesi dhe gjuhëtari i njohur shqiptar Tahir Dizdari, ka bërë një studim disa vite më parë dhe publikoi rezultate interesante, që dëshmonin se në gjuhën shqipe kanë hyrë mbi 500 fjalë me prejardhje nga persishtja, shumica e të cilave kanë përdorim në shqipen e përditshme. Një nga poetët më të mirë shqiptarë, Dhori Qiriazi, përktheu dhe përgatiti për botim së fundi një libër me poezi nga Rumiu. Revista që nxjerrim ne, “Perla”, konsiderohet nga specialistët si një nga revistat më serioze të fushës, ku firmosin personalitete të kulturës shqiptare. Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” ka pasur dhe ka bashkëpunim shumë të mirë me institucione kulturore dhe shtetërore shqiptare si Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Arkivin Shtetëror të Shqipërisë, të cilët gjejmë rastin t’i falënderojmë publikisht.


Fondacioni “Saadi Shirazi” është konsideruar edhe “një ambasadë shqiptare në Iran”. Vërtet?


Prania e një institucioni nga një vend i huaj në një vend mikpritës, qoftë ky institucion një ambasadë, apo një institucion kulturor, ose ekonomik, pikës së pari është një element për të prezantuar vendin që përfaqëson në shtetin mikpritës, si dhe të ndihmojë sa të mundet në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ashtu sikurse jeni në dijeni, Shqipëria nuk ka hapur ende ambasadë, ose përfaqësi, qoftë edhe kulturore në Iran. Për këtë arsye, Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi”, në sferën kulturore dhe sociale ka bërë përpjekje që të bëjë më shumë në njohjen e kulturës dhe shoqërisë iraniane, zgjerimit të marrëdhënieve kulturore midis dy vendeve. Për Fondacionin Kulturor “Saadi Shirazi”, një pjesë tjetër e aktivitetit të tij ka qenë njohja e popullit dhe e kulturës shqiptare të sotme për popullin iranian. Lajmet kulturore, jo vetëm të aktiviteteve të Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi” në Shqipëri, pasqyrohen gjerë në shtypin dhe mediat iraniane dhe gjatë viteve të fundit ku këto aktivitete kanë qenë të shumta. Në mediat iraniane emri i Shqipërisë dhe i Kosovës janë përmendur gjithnjë e më shpesh, madje duke transmetuar emisione speciale në prezantimin e këtij vendi dhe të historisë së tij, gjë e cila nuk ka ndodhur më parë.


2008/01/14    /    Numër : 520068    /    Numri i shikimeve : 766